Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Katër vite punë të palodhur, rroftë miqësia Kinë-Shqipëri
——Letër lamtumire nga Ambasadori Zhou Ding drejtuar miqve shqiptarë
2023-03-28 01:32

Të dashur miq,

Unë do të përfundoj së shpejti mandatin tim si Ambasador i Kinës në Shqipëri, t'i jap lamtumirën vendit të bukur të shqiponjave dhe të kthehem në Pekin. Ditët e fundit u takova me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama, Kryetaren e Kuvendit Nikola dhe personalitete të tjera shqiptare. I falenderova për mbështetjen e tyre të çmuar për kryerjen e detyrave të mia dhe shkëmbyem mendime të thella mbi marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin me interes të përbashkët midis dy vendeve. Për shkak të kohës së kufizuar, nuk mund t'ju takoj dhe t'ju them lamtumirë një nga një. Katër vjet e dy muaj që kam shërbyer si Ambasador në Shqipëri, është përvoja e rëndësishme dhe e paharrueshme në karrierën time diplomatike. Ju falënderoj sinqerisht për kujdesjen dhe mbështetjen, përfshirë edhe ata që nuk më kanë takuar kurrë, por gjithmonë mbështesin punën e Ambasadës Kineze dhe marrëdhëniet kino-shqiptare.

Gjatë këtyre katër viteve, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë ruajtur zhvillim të qëndrueshëm. Të dyja vendet kanë mbajtur ndërveprime të mira të nivelit të lartë. Vëllimi tregtar dypalësh është rritur vit pas viti. Marrëveshjet për heqjen reciproke të vizave, bashkëpunimin për eksporte të produkteve bujqësore në Kinë dhe turizmin janë nënshkruar. Disa projekte të bashkëpunimit praktik janë nisur njëri pas tjetrit. Shkëmbimet kulturore dhe njerëzore janë bërë gjithnjë e më aktive. Jam thellësisht i nderuar që mora pjesë dhe kontribuova për arritjet e sipërmendura. Gjatë këtyre katër viteve, duke ruajtur komunikimin e ngushtë dhe promovuar në mënyrë aktive bashkëpunimin me qeverinë qendrore, pushtetet vendore dhe kuvendin e Shqipërisë, kam vizituar gjithashtu komunitete, universitete dhe ndërmarrje në Shqipëri, ku kam pasur ndërveprime të sinqerta me miqtë shqiptarë. Ne zhvilluam së bashku një sërë aktivitetesh për të festuar 70 vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë. Shijuam së bashku fenerë kinezë, këngë dhe valle kineze, ushqime kineze në sheshin Skënderbej, mbollëm pemën e miqësisë kino-shqiptare në Parkun e Madh të Liqenit Artifical të Tiranës, u përballëm me sfidat e tërmetit të vitit 2019 dhe COVID-19 që pasoi, dhe isha i nderuar që bëra donacione bamirësie në emër të qeverisë kineze për komunitete dhe organizata në të gjithë Shqipërinë. Shumë momente të bukura do të mbeten në zemrën time.

“Sado larg nga miqtë që jemi, porsi komshi të mirë i kemi”. Kina e ka konsideruar gjithmonë Shqipërinë si një mik dhe partner, zhvillimi i vazhdueshëm i Kinës do të ofrojë më shumë mundësi për Shqipërinë. Miqësia tradicionale e gjatë midis Kinës dhe Shqipërisë është thesari i përbashkët i të dy popujve dhe themeli për zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Nuk do t'i harroj kurrë historitë prekëse të ndërveprimeve qoftë personale qoftë familjare, mes kinezëve dhe miqve shqiptarë,  të moshave të ndryshme dhe kudo në Shqipëri. U preka thellësisht nga pritshmëria e tyre për të trashëguar miqësinë dhe marrëdhëniet kino-shqiptare, dhe jam besimplot për të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare.

Duke dhënë lamtumirën tokës ku kam punuar dhe jetuar, zemra ime nuk mund të qetësohet për kohë të gjatë. Shqipëria është plot sharm dhe ka potencial të madh zhvillimi. Historia e gjatë, dielli i ndritshëm dhe peizazhet e bukura, veçanërisht vitaliteti dhe qëndrueshmëria, çiltërsia dhe mikpritja e popullit shqiptar, më kanë lënë një përshtypje të paharrueshme. Unë do të largohem me miqësinë tuaj të thellë. Pavarësisht ku do të jem në të ardhmen, gjithmonë do t’i kushtoj vëmendje marrëdhënieve kino-shqiptare dhe gjithmonë do të jem një misionar i miqësisë kino-shqiptare. Unë sinqerisht uroj prosperitet për Kinën dhe Shqipërinë, uroj që miqësia midis dy vendeve tona të zgjasë përgjithmonë!


Suggest To a Friend:   
Print