Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri boton artikull në “Albanian Daily News”
2023-07-17 22:00

Të hënën, i ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Wang Dexin botoi një artikull në gazetën shqiptare në gjuhën angleze “Albanian Daily News”, me titull “Le ta lëmë dritën e paqes të ndriçojë rrugën tonë përpara”, ku shtjellohen Nisma e Sigurisë Globale dhe qëndrimi i Kinës mbi problemin e Ukrainës.

Në vijim është artikulli i plotë.

“Ndërsa bota aktualisht përballon sfida të shumta të sigurisë, multilateralizmi ka hasur pengesa. Mungesa e besimit ndërmjet vendeve të ndryshme është në rritje, mendësia e 'Luftës së Ftohtë' të re po përhapet dhe po ndodhin konfliktet rajonale.

Kriza e Ukrainës ka zgjatur për mbi 500 ditë deri tani dhe ndikimi negativ i saj mbi sigurinë botërore e ka kaluar shumë imagjinatën e njerëzve. Lufta jo vetëm ka shkaktuar shumë viktima dhe humbje të pasurisë, por edhe ka penguar rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Zinxhirët globalë të industrisë e të furnizimit janë bllokuar dhe çmimet e energjisë e të ushqimeve janë rritur, duke shkaktuar ngritjen e kostos së jetesës në shumë vende evropiane e gjetkë, duke përfshirë Kinën. Gjatë 17 muajve të kaluar, gjithë bota ka qenë në tension dhe ankth.

Për krizën e Ukrainës, Kina i përmbahet gjithmonë nxitjes së bisedimeve për një zgjidhje paqësore. Kina i dha Ukrainës ndihmë humanitare në kohë, paraqiti një sërë propozimesh për zgjidhjen politike të krizës dhe publikoi dokumentin 'Qëndrimi i Kinës për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës' në shkurt të këtij viti. Presidenti kinez Xi Jinping pati shkëmbime të thella mendimesh përkatësisht me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike vizitoi me radhë Ukrainën, Poloninë, Francën, Gjermaninë, Bashkimin Evropian, si edhe Rusinë, në maj, për të zhvilluar komunikim të gjerë me palët e ndryshme për zgjidhjen politike të krizës. Kina mendon se furnizimi me armë i palëve në luftë nuk do të jetë në ndihmë të armëpushimit e të zgjidhjes së krizës, përkundrazi, do ta acarojë më shumë atë. Disa armë, si municionet me uranium të varfëruar dhe bombat thërrmuese, po rritin rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit dhe të katastrofave njerëzore. Kina shpreson se vendet përkatëse do të ndalojnë së hedhuri benzinë zjarrit dhe do të shmangin veprimet që mund ta përkeqësojnë gjendjen, madje të sjellin edhe daljen jashtë kontrollit të saj.

Shpërthimi i krizës së Ukrainës tregon që korniza e sigurisë evropiane ka hasur probleme. Janë të shumtë ata që mendojnë se siguria e Evropës duhet të mbrohet nga vetë vendet evropiane. Evropa ka nevojë më shumë se kurrë për pavarësi strategjike dhe për ta marrë në duart e veta kyçin e sigurisë e të qëndrueshmërisë. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por është me gjasë drejtimi i duhur.

Nisma e Sigurisë Globale, e propozuar në prill të vitit 2022 nga Kina, ka ofruar mençurinë kineze për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Kina mendon se shqetësimet e arsyeshme të vendeve të ndryshme për sigurinë duhet të merren parasysh seriozisht, të trajtohen siç duhet dhe të mos shpërfillen a shkelen sistematikisht. Duhet të respektohen sovraniteti dhe tërësia territoriale e vendeve të ndryshme dhe parimet e Kartës së OKB-së. Palët përkatëse duhet të krijojnë kushte të favorshme për zgjidhjen politike të krizës nëpërmjet dialogut.

Siç thotë një proverb kinez, kushdo që lidh një nyjë, ka përgjegjësi edhe që ta zgjidhë atë. Palët përkatëse në problemin e Ukrainës, veçanërisht dy fuqitë e mëdha bërthamore, duhet të përballen me realitetin dhe të zhvillojnë sa më parë dialog konstruktiv për rivendosjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur. 

Nga kriza e Ukrainës duhet të nxirren mësime për krijimin e një arkitekture të sigurisë evropiane të balancuar, efektive e të vazhdueshme,  për të promovuar zhvillimin paqësor me përfitime të përbashkëta të vendeve të ndryshme të botës. Le ta lëmë së bashku dritën e paqes të ndriçojë rrugën përpara për të gjitha qeniet njerëzore.” 

Suggest To a Friend:   
Print