Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Tiranë, ambasadori kinez takon ministren shqiptare të Kulturës
2019/10/22

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding u takua më 18 tetor me ministren shqiptare të Kulturës Elva Margariti. Të dyja palët shkëmbyen thellësisht mendime lidhur me forcimin e bashkëpunimit në fushën kulturore. Në takim ishte i pranishëm edhe këshilltari ekonomik i ambasadës kineze Lian Gang.

Në takim, ambasadori Zhou vlerësoi punën e znj. Margariti dhe të dikasterit që ajo drejton për nxitjen e shkëmbimeve kulturore me Kinën. Ai tha se seria e veprimtarive kulturore që u organizuan sivjet nga të dy palët, ka krijuar një atmosferë të ngrohtë në kuadër të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Sipas z. Zhou, pala kineze dëshiron që, së bashku me palën shqiptare, të shfrytëzojë plotësisht platformën e bashkëpunimit "17+1" në bazë të epërsive e kërkesave të zhvillimit të ndërsjellë, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës e të sipërmarrjes kulturore, si edhe në përgatitjen e burimeve njerëzore profesionale. Ndërkohë, ambasadori i Kinës në Shqipëri propozoi gjithashtu që të dy vendet të gjejnë mundësinë e ndërthurjes të elementeve kulturore me zhvillimin e turizmit, për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ndërmjet dy popujve.

Nga ana e saj, ministrja Margariti u shpreh se kultura tradicionale kineze ka përmbajtje të larmishme. Industria kulturore në Kinë po zhvillohet me shpejtësi e përvoja në këtë drejtim mund të shërbejë si pikë referimi për institucionet shqiptare. Pala shqiptare e falënderon palën kineze për mbështetjen që ka dhënë për ndërtimin e objekteve kulturore në Shqipëri dhe është e gatshme të shtojë kontaktet me Kinën për të arritur më shumë rezultate.

Suggest To a Friend:   
Print