Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Tiranë, ambasadori kinez në hapje të "Përtej Kujtimeve", ekspozitës me rastin e 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë
2019/11/13

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në kryeministri u çel të hënën ekspozita "Përtej Kujtimeve", me rastin e 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

 

"Përtej Kujtimeve" ekspozon një koleksion pullash përkujtimore me tematikë Kinën, të lëshuara nga Posta Shqiptare përgjatë viteve 1968-2009, gjithashtu dhe vepra tradicionale artistike nga qyteti Nanjing, Kinë.

Në aktivitetin e zhvilluar ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, diplomë e zyrtarë të shumtë të cilët shijuan ekspozitën e rrallë, e cila u hap në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në Tiranë me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Anila Denaj, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, ish-kryeministri dhe kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në parlament Bashkim Fino, zv-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj, zv-ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, zv-ministri i Arsimit, i Sportit dhe i Rinisë Redi Shtino dhe mbi 100 personalitete të qarqeve të ndryshme.

 

Në fjalimin e tij, ambasadori Zhou Ding tha se gjatë 70 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe kanë kaluar provën e ndryshimit të situatës ndërkombëtare, dy palët kanë ruajtur gjithmonë lidhjen e ngushtë, miqësia midis dy popujve është trashëguar brez pas brezi. Në një vit të fundit, një sërë aktivitetesh kremtuese të organizuara bashkërisht nga dy palët kanë thelluar pandërprerë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Kultura dhe artet janë shpirti i një vendi e një kombi, hapja dhe pranimi janë tiparet e përbashkëta kombëtare të Kinës e të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, për shkak të historisë e të traditave, ne respektojmë shumë kulturën kombëtare dhe pavarësinë e dinjitetin e kombit.

Ambasadori Zhou tha se në pullat e ekspozuara me temë "Kinën" të emetuara nga Shqipëria në periudha të ndryshme historike tregojnë ndjenjat e thella të të dy popujve.

Ai shtoi se në mënyrë të ngjashme, veprat e shkëlqyera artistike nga Kina gjithashtu dërguan një përshëndetje të thellë për popullin shqiptar, duke treguar hijeshinë e artit dhe kulturës që mund të kapërcejnë kohën dhe hapësirën, për të lidhur zemrat dhe shpirtrat. Shumë vepra artistike të Kinës përcjellin thellësisht konceptin e ndjekjes së harmonisë midis njeriut dhe natyrës, njeriut dhe shoqërisë në filozofinë tradicionale kineze, duke ofruar forcë shpirtërore për ne që të përballemi me një botë të ndërlikuar dhe të na ndriçojnë për të ndërtuar një komunitet fatesh të përbashkët të njerëzimit.

 

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, kryeministri Rama tha se "kjo ekspozitë është shumë modeste për përmasën e veçantë të një marrëdhënie që daton 70 vjet. Një marrëdhënie sa e çuditshme aq edhe e veçantë mes një prej vendeve më të vegjël të Lindjes Europiane dhe më të madhin vend të lindjes së vetë rruzullit tokësor. Ky aktivitet është një moment kthimi vështrimi tek e shkuara nëpërmjet imazhesh që në shumicën e tyre na janë të njohur. Megjithatë, e përsëris që as kjo ekspozitë dhe as të gjitha aktivitetet e organizuara për këtë vit simbolik të marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Kinës, nuk mund të përtërijë të gjithë afishën shumëngjyrëshe të kësaj historie".

Kryeministri Rama shtoi se Kina është sot partneri më i madh strategjik pas BE-së. Vetëm këtë vit, tha shefi i qeverisë shqiptare, rritja e turistëve kinezë ishte 65% më shumë se një vit më parë. Ai shtoi se pala shqiptare do të ofrojë më shumë lehtësira për turistët kinez. Dy palët kanë pasur arritje të suksesshme në fushat e artit dhe të kulturës. Pala shqiptare do t'i kushtojë vëmendje përvojës së sjellë nga Kina.

Paraardhësit kinezë thonë se rruga e gjatë nis me një hap. Duke parashikuar të ardhmen, Kina dhe Shqipëria do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, duke krijuar një tjetër 70 vjeçar të mrekullueshëm.

Ekspozita shfaq pulla përkujtimore me temën "Kinën" në periudha të ndryshme historike të Shqipërisë dhe vepra artistike kineze si piktura, letër prerje etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 29 nëntor.

Suggest To a Friend:   
Print