Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Fjalimi i Ambasadorit ZHOU Ding në aktivitetin Solidariteti për Luftën ndaj Epidemisë së Koronavirusit të Ri
2020/02/14

I nderuar kryetar Veliaj, i nderuar z. Bushati,

E nderuar Zv/ministre Kospiri, i nderuar z. Dalipi,

Zonja e zotërinj,

Mirëdita!

Natyrisht kam shumë për të thënë, në një takim me Ju në një moment të veçantë. Së pari, dëshiroj të falendëroj nga zemra Zotin Veliaj, një kryetar shumë simpatik dhe dashamirës, që ka iniciuar këtë aktivitet, dhe qëndron pranë nesh në një çast të tillë. Me mbështetjen e tij, të qytetarëve të Tiranës, dhe të popullit mik shqiptar, ndihemi shumë të ngrohtë në këtë betejë të popullit kinez kundër Koronavirusit të ri.

Tirana është një qytet i mrekullueshëm, i hapur, entuziast dhe me plotë vitalitet. Pardje ishte ditëlindja e saj e 100-të, dhe dëshiroj t’i përcjell edhe një herë urimet e mia të përzemërta. Në këtë moment, kemi parë në disa qytete të vetëquajtura si metropol gjithëpërfshirës dhe i hapur, që po shfaqen veprime përjashtuese dhe diskriminuese në nivele të ndryshme ndaj kinezëve e madje aziatikëve, gjë që ështe e trishtueshme. Por në Tiranë, kam parë që njerëzit po shprehin solidaritet dhe urime në mënyra të ndryshme për Kinën, e mbështesin qeverinë dhe popullin kinez të bashkuar në betejën kundër epidemisë. Si gjithmonë, janë miqësia dhe dashamirësia e miqve shqiptarë që janë ndjerë nga kinezët që po punojnë e jetojnë në Shqipëri.

Jam i bindur që, Tirana do të ecë akoma përpara me qytetarë kaq të edukuar. Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, titulli që ajo e meriton. Besoj se Tirana do të na japë supriza të reja të vazhdueshme nën udhëheqjen e kryetarit Veliaj.

Tërmeti i 26 nëntorit i ka shkaktuar dhimbje të madhe Shqipërisë. Zemra e popullit kinez qëndron gjithmonë me Shqipërinë. Pas tërmetit, Presidenti i Kinës Xi Jinping dërgoi mesazh solidariteti që në momentin e parë. Unë dhe kolegët e mi të ambasadës shkuam nëpër komunitete për t’u çuar njerëzve të thjeshtë ndihma dhe materialet që nevojiten urgjentisht. Kompanitë e studentët kinezë dhe kinezët rezidentë në Shqipëri dhanë kontributet e tyre me para dhe me veprimtari vullnetare, në përgjigje të emergjencës. Kompanitë kineze dhuruan mbi 2 milion euro për zonat e prekura. Historitë e tilla prekëse janë të shumta për t’u përmendur.

Pas shfaqjes së epidemisë së Koronavirusit të ri në Kinë, edhe shteti e populli shqiptar kanë shprehur mbështetjen për Kinën që në momentin e parë. Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ruçi kanë dërguar letrat e solidaritetit duke inkurajuar qeverinë e popullin kinez. Sot, kryetari Veliaj ka ardhur në komunitet dhe në restorant kinez, duke dhënë mbështetje ndaj Kinës dhe komunitetit kinez në Tiranë me veprime praktike, gjë e cila gjithashtu tregon vizionin, gjerësinë e mendjes dhe angazhimin e Tiranës si kryeqyteti i vendit të Shqiponjës. Dashuria nuk njeh kufi, familja jonë ndërkombëtare do të bëhet më e fortë dhe më e bashkuar qoftë përballë tërmetit apo epidemisë.

Sot, milje larg, populli heroik kinez po lufton maksimalisht me virusin. Pas shfaqjes së epidemisë, qeveria kineze ka marrë masat më të gjithanshme e më të rrepta të parandalimit dhe kontrollit, gjë që jo vetëm tregon përgjegjësinë e lartë për jetën e shëndetin e popullit kinez, por është edhe kontribut i madh për ruajtjen e sigurisë shëndetësore globale. Besoj kjo shihet nga e gjithë bota. Populli kinez ka bërë përpjekje dhe sakrificë gjigante për këtë luftë. Ata vullnetarisht veprojnë konform masave të qeverisë dhe sugjerimeve të ekspertëve, për të frenuar përhapjen e virusit. Dhjetëra mijëra punonjës mjekësorë nga të gjithë anët e vendit kanë shkuar për të ndihmuar në Wuhan dhe Hubei, që janë fronti i parë i kësaj beteje. Dy spitalet të veçanta me mijëra shtretër u ndërtuan dhe u vënë në përdorim brenda vetëm 10 ditësh, e cila tregon edhe një herë shpejtësinë kineze. Siç e tha presidenti Xi Jinping, ne po vrapojmë me kohën, dhe po luftojmë me sëmundje serioze. Aktualisht, rastet e konfirmuara në Kinë zënë 99% të atyre në botë, dhe ato kryesisht janë në Wuhan dhe Hubei. Numri i rasteve të reja në zonat e tjera përveç Provincës Hubei po zvogëlohet gradualisht, dhe numri i rasteve të rikuperuara është duke u rritur. Vullneti dhe masat e forta të Kinës për të kontrolluar përhapjen e epidemisë po tregojnë efekte pozitive. Besoj se pika e kthesës së epidemisë do të vijë së shpejti.

Populli kinez ka përjetuar lloj-lloj vështirësish në historisë e tij disa mijë vjeçare, por asnjëherë nuk është rrëzuar. Ne jemi një popull me kohezionin, këmbënguljen, mençurinë dhe shpirtin reflektues. Pasi të kapërcejmë këtë vështirësi, ne do të bëhemi më të fortë.

Nënë Tereza, që është krenaria e kombit shqiptar ka thënë se: e kundërta e dashurisë nuk është urrejtje, por indiferencë. Në këtë moment, shumë tironës po i kushtojnë vëmendjen e tyre Lindjes, duke u lutur nga zemra për popullin kinez. Kjo është fryma e mbrojtur nga Nënë Tereza, kjo është edhe fryma e Tiranës. Tokat i kemi të ndara, por qiellin e kemi të përbashkët. Dielli do të na shkëlqejë nëpër re më në fund, dhe atëherë, ne do të dimë që një ndër flladet e lehta erdhi nga Tirana e largët.

Dhe një herë faleminderit kryetarit Veliaj, faleminderit të gjithë të pranishmëve!

Suggest To a Friend:   
Print