Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Organizohet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare mbi marrëdhëniet kino-shqiptare
2019-10-15 16:35

Universiteti i Vlorës "Ismail Qemali", në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Universitetin e Gjirokastrës "Eqrem Çabej", si dhe disa institucione të tjera universitare-akademike dhe kulturore, organizoi nga 12-13 tetor 2019 Konferencën Shkencore Ndërkombëtare Marrëdhëniet Shqiptaro-Kineze: tradita, gjendja dhe perspektiva.

 

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding, deputetja Vilma Bello, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, rektori i Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali" Roland Zisi, anëtari i Akademisë së Shkencave Shaban Sinani, sekretari i komitetit të Partisë Komuniste të Kinës për Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Wang Dinghua etj.

Në fjalimin e rastit, ambasadori Zhou u shpreh se gjatë 7 dekadave, Kina dhe Shqipëria i kanë qëndruar provës së ndryshimeve të gjendjes ndërkombëtare, duke çuar përpara këto marrëdhënie gjithmonë me parimet e trajtimit të barabartë dhe të përfitimit të përbashkët, dhe duke e parë njëra-tjetrën gjithmonë si një mik të veçantë dhe të besueshëm. Bota jonë ka përjetuar ndryshime të thella të papara në një shekull, marrëdhëniet mes dy vendeve tona po afrojnë pikën e rëndësishme që lidh të kaluarën me të ardhmen. Është misioni ynë i dhënë nga historia e realiteti që të nxisim zhvillim të qëndrueshëm, të thellë të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore kino-shqiptare në epokën e re, në të mirën e dy popujve. Ai shprehu shpresën se qarqet e ndryshme të të dy vendeve mund të kapin shanse historike, duke shfrytëzuar plotësisht kornizat e bashkëpunimit si "17+1", nisma "Një brez, një rrugë" etj., për të konsoliduar besimin reciprok politik, zgjeruar bashkëpunimin konkret, forcuar shkëmbimin njerëzor dhe kulturor në të mirën e arritjes së fryteve të bashkëpunimit dhe ngushtimit të marrëdhënieve kino-shqiptare.

Në fjalimin e tij, z. Zhou u përcolli mirënjohje të përzemërt personaliteteve të ndryshme, të cilët kanë bërë përpjekje të palodhshme dhe kanë dhënë një kontribut të pashoq prej kohësh për këtë miqësi.

"Besoj se kjo konferencë do të jetë një ngjarje e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve tona. Jam i bindur që, përmes rishikimit të historisë, analizës së gjendjes së tanishme dhe shikimit nga e ardhmja, do të ndizen mendjet e reja, duke u gjetur frymëzimi, mundësia dhe impulsi i ri për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe", tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri.

Z. Zisi dhe z.Sinani theksuan në ceremoninë e hapjes se miqësia tradicionale si trashëgimi historike dhe kontributet e sinologëve shqiptarë dhe albanologëve kinezë meritojnë të mbahen mend. Pala akademike shqiptare dëshiron ta shfrytëzojë pjesëmarrjen në mekanizmin e bashkëpunimit "17+1" dhe të nismës "Një brez, një rrugë", të zgjerojë më tej shkëmbimet e bashkëpunimin me universitete dhe institucione kërkimore të Kinës, duke mbështetur nga ana intelektuale zhvillimin e pandërprerë të marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Ndërsa, z. Wang Dinghua u shpreh nga ana e tij se krijimi i Institutit të Konfucit në Universitetin e Tiranës dhe i Qendrës Studimore të Albanologjisë të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit ka luajtur rol pozitiv në thellimin e njohjes midis dy popujve. Ai shprehu dëshirën se me këtë konferencë ndërkombëtare si pikënisje të zgjerohen fushat e bashkëpunimit midis universitetit të tij dhe qarqeve akademike dhe think-tankëve të Shqipërisë.

Në Konferencn Shkencore Ndërkombëtare mbi Marrëdhëniet Kino-Shqiptare moërën pjesë 49 studiues nga 14 qendra kërkimore universitare dhe akademike të dy vendeve, si Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës, Instituti China-CEE, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Studimeve Historike, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Beogradit, të cilët zhvilluan bisedime të thella për çështjeve politike, ekonomike, kulturore rreth "Traditës, të tashmes dhe perspektivës" të marrëdhënieve kino-shqiptare.

Në konferencë, ish-kryediplomati shqiptar Paskal Milo, ish-ambasadori shqiptar në Kinë Hajdar Muneka, profesoresha Ke Jing e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, studiuesi i asociuar i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Xu Gang mbajtën fjalime tematike, përmes së cilave i bënë një analizë dhe retrospektivë historisë 70 vjeçare të marrëdhënieve kino-shqiptare, duke shprehur edhe pritshmëritë për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.

Në konkluzionet e fundit, pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht rezultatet e kësaj konference, duke theksuar domosdoshmërinë e gjallërimit të mëtejshëm të forcës së zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin e think-tankëve kino-shqiptarë brenda kornizave "17+1" dhe "Një brez, një rrugë".

Suggest To a Friend:   
Print